Mbrojtësi

Futbollisti Cana do të fitojë 1.8 milionë euro në vitin e tij të fundit të mbetur në kontratën me Lacion

Kapiteni i përfaqësueses shqiptare, Lorik Cana, ka përsëritur se mund të vazhdojë të qëndrojë te Lacio edhe një vit, për të përmbushur kontratën që ka me klubin italian. Kthimi në Ligën e Kampioneve i kësaj skuadre, është një motivim më shumë për të qëndruar, edhe pse mbrojtësi nuk shihet si titullar nga trajneri Stefano Pioli.
“Kam edhe një vit kontratë të mbetur. Ligën e Kampioneve nuk është se po e zbuloj tani, e njoh mirë. Por për të ardhmen do të shohim se çfarë do të bëjmë. Do të diskutoj me drejtuesit dhe do të marrim një vendim të përbashkët. Jam i bindur se do të gjejmë zgjedhjen më të mirë”, u shpreh Cana për “L’Equipe” pas suksesit 4-2 të ekipit të tij ndaj Napolit, që i dha mundësinë të siguronte pjesëmarrjen në Ligën e Kampioneve. Por pavarësisht pretendimeve të Canës, klubi bardhekaltër do të ishte gati të hiqte dorë nga futbollisti i cili është mes më të paguarve. Ai përfiton rreth 1.8 milionë euro në vit te klubi italian dhe presidenti Lotito e shikon këtë si një shpenzim të tepërt për një futbollist në fund të kontratës, i cili në sezonin e ardhshëm mendohet të kalojë pjesën më të madhe të kohës në stolin e rezervave. Ndaj Cana po merr në konsideratë çdo ofertë që po vjen në adresë të tij, sidomos nga ekipet gjermane.
Megjithatë, për momentin, ai po i gëzohet suksesit të jashtëzakonshëm të ekipit të tij, i cili kundër çdo parashikimi të mundshëm, arriti të ngjitej në podiumin e kampionatit italian. Bashkë me Etrit Berishën dhe Tomas Strakoshën, ai ka festuar deri në orët e para të mëngjesit në qendrën stërvitore të klubit në Formelo, e cila ishte pushtuar nga rreth 10 mijë tifozë të cilët i gëzoheshin kthimit në Ligën e Kampioneve nëpërmjet një triumfi dramatik 4-2 në fushën e Napolit. “Çmenduri, kjo është më e pakta që mund të them! Kemi kaluar thuajse gjithçka! Ishim shumë pranë kualifikimit në eliminatoret e Ligës së Kampioneve, ndërsa më pas ishim shumë afër humbjes së këtij vendi të tretë. Por duke parë rrugëtimin tonë, mendoj se e kemi merituar të arrijmë podiumin dhe ta mbyllim në mënyrë pozitive për ekipin. Kur ti arrin në fund të një kampionati të komplikuar, në të cilin ti luan të gjithë sezonin në 90 minuta, nuk është asnjëherë e lehtë. Ne kishim humbur pak ditë më parë Kupën e Italisë ndaj Juventusit ashti si edhe një ndeshje të rëndësishme siç është derbi me Romën, ku mund të arrinim barazimin, por përfunduam pa pikë. Kur ke bërë 95% të punës, duhet të shijosh edhe frytet e saj. Në fund, gjërat shkuan në favorin tonë dhe është një kënaqësi e jashtëzakonshme për të gjithë kolektivin në këtë klub”, deklaroi Cana.

0 comments:

Post a Comment

 
Top